10/14/12

Filmi shqiptar, e djeshmja, e tashmja dhe sfidat e kohës




Ka shumë mjete që I bëjnë të mundur shoqërisë të vështrohet, të kuptojë veten,të njohë historinë , të korrigjohet, të veprojë ndryshe dhe të ndjekë udhën e qytetërimit. Mes tyre, një vend të veçantë, të pazevëndësueshëm dhe shumë të vështirë për t'u konkurruar, luan filmi, kinematografia me
tërë gamën e prodhimit të saj, vizual artistik, kronikal dhe të animuar. Ekrani i vogël i filmit, përballë ekranit të madh të globit, duket gati picirruk, por përballë aftësisë së tij për të fiksuar imazhin e ngjarjes korrente, historinë, moralin e ndryshimit, aksionin dhe kahun e lëvizjes sociale, ndjenjën dhe përgjegjësinë ndaj vetes dhe atdheut, familjes dhe fëmijës, gjuhës dhe traditave, në betejën qe vesi të mos e mundë virtutin, që e vërteta dhe marrëveshja me të, të jetë dinjitoze dhe, në emër të saj, kanë bërë që globi njerëzor ta shohë veten "të vogël" përballë ekranit "të madh" artistik të kinemasë.Nuk ka njeri që mund të jetojë pa thithur ajër, ashtu si nuk ka (qytetar) njeri, që të mos ketë parë qoftë edhe një film dhe të mos i jetë gjunjëzuar magjisë së tij çudibërëse. Mund të gjesh njerëz që pak kanë lexuar në jetën e tyre ose aspak, që bartin vese dhe degradimi mund t'u ketë marrë jetën ose periudha të saj, por nuk mund të ketë ndodhur, që ata në udhën e tyre të zgjedhur, të mos kenë thithur bashkë me frymën, "oksigjenin" e filmit dhe të kenë ndalur pak dhe të kenë reflektuar mbi veten dhe për veten e tyre, në raport me shoqërinë dhe detyrimin ndaj saj. Ndaj jemi
me fat që fillim i korrikut 2002, na gjen ne shqiptarëve me gjysmë shekulli kohë- kronos, film artistik, por në kuadrot e tij, si ngjarje dhe reflektim, si moral dhe përthithje të historisë, kjo kohë hapet.
Ajo shkon thellë në histori dhe tenton nga e sotmja për të parë në të ardhmen. Një hark të tillë kohor nuk mund ta bëjë çdolloj abstragimi, qoftë edhe artistik, por se kinematofrafia e ka këtë valencë
bashkëveprimi dhe bashkëbisedimi me shikuesin, me atë që duke vështruar filmin sheh veten dhe korrigjon veprën, kur ajo nuk sjell atë që ai ndien dhe dëshiron, por edhe vetëkorrigjon, kur brenda thellë, gjen tek vetja mungesa dhe deformime, të cilat e bëjnë të turpërohet përballë filmit. Është një reflektim që bëhet në erësirën e sallës dhe dritën e ekranit. Kjo marrëveshje dritë (filmi)- hije (spektaori), krijon një
raport hijerarkie, sepse i jep "Artit të statë", gjithëfuqinë e ndriçimit,"të zjarrit" për vetëdije. Ai, edhe kur dritat çelen, të mban shtrënguar gjatë dhe përbrenda, sepse të bën jo vetëm të mendosh, por
edhe të ndiesh, të imgjinosh, të udhëtosh dhe të vetëgjykosh, si edhe të çlirosh energji të reja, për një kuptim e vlerësim krejt tjetër të gjërave dhe të botës në tërësi. Filmi është një purgator social
artistik i shoqërisë, është sozia e shoqërisë, e cila nuk kënaqet me veten asnjëherë dhe lyp ndryshim nga vetja dhe për vete.Artet e tjera ia njohin meritat dhe gjithëfuqinë filmit, ndaj i falen atij mes
bashkëshkëpunimit, sepse edhe romani apo novela, gjejnë mirëkuptim dhe bëhen "fjala" e filmit artistik, dokumentar apo vizatimor. Piktura "përkulet", duke dhënë vizionin, ngjyrën, veshjen dhe atmosferën e
jetës në film. Muzika jeton edhe vetëm, sepse ajo është tingëllimi I sekreteve te jetes, kambana e harmonisë njerëzore. Por kur ngjizet në filmin artistik, ajo ndihet si në shtëpi, sepse është bashkë me
njeriun, ngjarjet dhe historinë, ajo përshkruan ndjenjën, duke e veshur me harmoninë e përjetimit shpirtëror dhe duke i dhënë mesazhit filmik, hapësirë ndijimi me një gjerësi estetike tronditëse. Për kolonën zanore të filmit ka çmim të veçantë dhe kompozitor të shquar e duan këtë zhanër.
Por filmi, ashtu si merr edhe jep, sepse ushqen frymëzim dhe vetëdije, për gjurmime të pacekura më parë, përmes arteve të tjera. Është për këtë arsye që filmi është vepër e një asambli artistësh të
vërtetë, të cilët sinkronizohen në realizim, gati si një orkestër sinfonike, me në krye regjisorin e filmit. Ndodh jo rrallë të projektohet një vepër letrare e ardhshme me përmasa serioze, si edhe nga ana tjetër, një vepër letrare jo fortë tronditëse, të ridimensionohet përmes imazhit filmik. Po kështu, mund të ndodhë me muzikën e filmit, e cila, pas krijimit, gjen autoritet të trondisë, edhe e shkëputur nga filmi, por me sekretin, se të kujton ngjarjen filmike dhe të pështjell në tisin e reflektimit, përmes lundrimit në imazhet e filmit dhe eksplorimin e relievit të ngjarjes së saj, qoftë historike, qoftë një fiksion estetik.
Të gjitha këto atribute i ka edhe kinematografia jonë shqiptare, sepse brenda saj, është edhe
historia ilire, dhe pushtimi turk dhe rezistenca ndaj tij, me kulmimin e Shpalljes së Pavarësisë. Ka vendin edhe rezistenca partizane në Luftën e Dytë Botërore. Shumica e shqiptarëve mund të mos kenë lexuar
shumë për Shpalljen e Pavarësisë, por nuk gjen mes nesh një të tillë, që të mos ketë qëndruar mbërthyer tek ekrani për të parë "Nëntorin e dytë". Mund të ketë mes nesh që nuk dinë të këndojnë dot, qoftë edhe
një fragment nga muzika shqiptare e babait të saj Çesk Zadeja, por s'ka shqiptar të mos dijë atë motiv të mrekullueshëm të muzikës së filmit "Skënderbeu", e shoqëruar në mënyrë stoike me fjalët:"O ju male, mallet tona të larta", që rapsodi i verbër, si një Homer shqiptar e këndonte, ndërsa nisej drejt Besëlidhjes së Lezhës me Gjergj Kastriotin. Me kinematografinë ka bërë marrëveshje edhe I.Kadare, sepse "Gjenerali I (tij) i ushtrisë së vdekur", iu fal celuloidit, po kështu "Nëntori I një kryeqytetit", "Dimri i vetmisë së madhe", "Dasma" apo "Prilli I thyer". Kanë shpënë veprën e tyre letrare për ta celebruar me filmin
artistik edhe Dritëro Agolli, Skënder Drini, Kol Jakova, Petro Marko, Peçi Dado, Vath Koreshi, Teodeor Laço, Dhimitër Xhuvani, Nexhati Tafa, Shpresa Vreto apo njerëz të tjerë të letrave. Si u lind kjo magji
artistike, tek ne shqipatërt e varfër që më 1952-në, kur ne ende nuk kishim zhdukur analfabetizmin, malarjen dhe varfëria na mbante ende në radhë për ushqim me triskëtim. Kjo është edhe një nga tiparet më të rëndësishme të kinematografisë sonë, sepse ajo u lind, jo thjesht dhe vetëm si mjet argëtimi dhe edukimi estetik, por si sfidë ndaj prapambetjes, si dimension pavarësie dhe gurrë qemeri, për identitetin
artistik dhe atë kombëtar. Ne filluam të shkruanim historinë dhe jetën edhe me këtë mjet të magjishëm, sepse donim të krijonim kujtesë të dokumentuar vizuale dhe artistike, pasi kjo formë na kishte munguar,
duke shkaktuar një boshllëk të hidhur.
Ata, kineastët e parë, që studiuan në Evropë, si regjisori i nderuar Kristaq Dhamo, autori i
filmave të parë me metrazh të mesëm dhe të gjatë, erdhi nga shkolla  hungareze e cila, historikisht dhe sot e gjithë ditën, ka një profil mjaft dinjitoz. Kolosët e kameras dhe më tej të regjisurës, Viktor Gjika dhe Dhimitër Anagnosti, dhe bashkë me ta pionieri i parë Viktor Stratobërdha, erdhën nga shkolla ruse e kinematografisë, me aq emer dhe trofe. Gëzim Erebara (kjo enciklopedi e gjallë e filmit), Saim Kokona,
Piro Milkani dhe Hysen Hakani, erdhën nga Akdemia e Pragës, pra të shkollës çeke, të njohur dhe të vlerësuar në mbarë botën. Llazar Knuti dhe Llukan Bushi studiuan grimin filmik në shkollën gjermane, me aq traditë dhe autoritet. Mund të vijojmë edhe me të tjera personalitete, të zërave të tjerë të filmit, që kanë studiuar jashtë Shqipërisë, por më me rëndësi është përfundimi që duhet të vëmë në dritë. Që të gjithë këta artistë të mëdhenj, shqiptarë të vërtetë, erdhën nga shkolla të ndryshme, por ata kryen një vepër historike dhe me dinjitet. Krijuan kinematografinë shqiptare me fytyrën e saj, me dimensionet e saja, me përkushtimin e saj. Ky monument është i tillë që na dha emër në udhën e empancipimit dhe na siguron dinjitet përmes evokimit të historisë, nëpërmjet fiksimit në celuloid dhe shpërndarjes në të gjithë botën, duke marrë pjesë në festivale ndërkombëtare dhe duke shpënë atje një pjesë ose tërë Shqipërinë dhe njerëzit e saj, gjithnjë me më shumë dinjitet, se çka bërë dhe bën apo do të bëjë propaganda (dje), politika zyrtare (sot), apo informacioni përgjithshëm (nesër).
Kinematografia shqiptare gjysmëshekullore ka shërbyer (duhet edhe në të ardhmen) si
nje akademi e vlerave artistiko-estetike, por mbi të gjitha, si një akademi e empancipimit shoqëror. Me gjuhën e vet filmike, ajo ka kryer operacionin e anatomisë sociale dhe historike të shoqërisë shqiptare,
sepse brenda kuadrove të saj janë njeriu, si njësh; historia, si ngjarje; ndodhitë, si evenimente; regjimet politike, si kostume të detyruara; fitoret historike, si emblema; fëmijët, si gjykatësit më të
pastër dhe më të pakomprometuar. Sigurisht, është edhe ideologjia e diktaturës, si pjesë kanseroze e një regjimi që e prodhonte atë dhe prodhohej prej saj. Nëse ndokush guxon që, për këtë shkak, të thotë se
nuk kemi kinematografi, do t'i thoja. Po qe se sistemi i djeshëm qe I tillë, dhe filmi e ka pasqyrur ekzaktësisht, ai nuk ka faj. Duhet ta përgëzojmë filmin artistik apo dokumentar, sepse ata vlejnë si kujtesë
historike. Njeriu, historikisht, ka qenë i dënuar me të ardhmen, të cilën përpiqet ta sjellë.
Por, kur ajo bëhet e pranishme, kërkon të hakmeret me të djeshmen, duke harruar se po i vjen radha të
vjetërohet dhe të ketë të njëjtin fat. E djeshmja jonë, shoqërore apo politike, nuk na linte hapësirë që dikush sot ta gjejë veten nën ombrellën e alibisë dhe të shohë nga lartë historinë njerëzore e cila,
përpos ideologjike dhe propagandistike, ishte dhe humane, dhe historike, dhe njohëse dhe përshkruese dhe dokumentuese, pra qe fytyra e jetës sonë nën atë sistem, që na prodhoi, por edhe e prodhuam. Sot të
papranueshme duken dhe mizoritë e skllavërisë dhe marrëzitë e feudalizmit dhe krimet e komunizmit, por se arti nuk është as vegël e tyre, as pjellë po ashtu. Arti mund të shpërdorohet nga politika
zyrtare, por nuk mund të mundet prej saj, sepse njerëzit e artit drejtohen nga ndërgjegjja artistike dhe jo ajo ideologjke apo politiko-propagandistike. Vetëm mediokriteti bën marrëveshje me izma të
tilla, që ushqejnë bufonatën e regjimeve autoritare dhe totalitare. Në filmin tonë është Veriu epik dhe tragjedia e tij, e mbuluar me një bore alpine vrasëse. Është Jugu i Shqipërisë, me gjithë dramacitetin e tij,
sa të egër aq edhe intrigues, është bregdeti ynë, me njerëzit e mrekullueshëm, që janë rritur me kripën e valëve dhe dhembjen e mallit. Është Myzeqeja me njerëzit e saj të veçantë, është fusha e Korçës dhe
ajo vetë. Kjo zonjë që gjithnjë në histori na ka shërbyer me njerëzit e saj të mençur që të mos na zërë nata rrugës dhe gremisemi. Është Gjirokastra e gurtë, që na kujton se guri, origjina, është i veçantë
tek ne, jo vetëm si përmasë, profil apo fortësi, por edhe si fjalë, si gjuhë shqipe, sepse njeriu së pari foli me gurin. Ja përse filmi shqiptar, kinematografia jonë me gjeografinë përfshirëse dhe historinë
e sintetizuar në pelikul, është kujtesë arkivore dhe njëherësh vigjëlim mbi jetën dhe shoqërinë, mbi historinë dhe të ardhmen e saj. Mesazhet që ajo përcjell edukojnë. Por ajo ka edukuar edhe me mënyrën si vepron, për ta "ngritur godinën" e një filmi. Trupa e kinostudios kur xhironte një film në periudhën e diktaturës (apo edhe sot) trondiste jetën e qytetit apo fshatit ku xhironte, sepse rrezatonte qytetari, rriste
ngarkesën intelektuale të ambientit, gjallëronte atmosferën dhe shtonte dashurinë për jetën. Trupa e xhirimit magjepste me dekorin, lojën e aktorëve në sheshin e xhirimit apo inskenimet e aktorëve, me praninë e këtyre njerëzve të emancipimit në këto zona të largëta. Kur kineasti I përkushtuar Saimir Kumbaro, mbaroi xhirimet e filmit "Koncert në vitin 1936" dhe filloi të çmontonte dekorin, plakat e qytetit të Libohovës, ku xhirohej filmi, filluan të qanin. Ato kishin jetuar me xhirimin dhe
projektimin e filmit sikur të kishin qenë në një botë tjetër, jashtë realitetit tokësor të kohës dhe kishin provuar atë mrekulli që fal arti, aq më tepër në procesin e realizimit. Ndodh që vetë ky proces
rekomandon më shumë se arti i menduar në studion krijuese. Sepse e gjalla është atje, tek ata që janë objekt dhe subjekt i jetës pa zbukurim.
Kinematografia shqiptare dhe shtëpia e saj Kinostudioja, që sot i është ndërruar emri dhe është kafshuar, harruar apo nxjerrë në tregun e braktisjes, më i keqi treg i zhbërjes, ka përgatitur shumë
artistë, sepse nuk ka të tillë që nga më të mëdhenjtë, si Naim Frashëri e Prokop Mima, Ndrek Luca e Pandi Raidhi, Sulejman Pitarka e Kadri Roshi, Alesandër Prosi e Vangjel Heba, Violeta Manushi e Tinka Kurti, Margarita Xhepa e Roza Anagnosti, Edi Luarasi e Yllka Mujo, Vangjush Furxhiu e Rajmonda Bulku, Rikard Ljarja e Marjeta Ljarja, Mevlan Shanaj e Timo Flloko, Eva Alika e Luiza Xhuvani, Llazi Sërbo e Guljelm Radoja,Violeta Dede e Agim Qirjaqi,Thimi Filipi e Stavri Shkurti, Mihal
Stefa e Ndrek Shkjezi, Robert Ndrenika e Reshat Arbana, Beb Shiroka e Mirush Kabashi, Jani Riza e Birçe Hasko, Bujar Lako e Ndricim Xhepa etj. etj. (të më falin që nuk po u përmend emrin), e deri tek më të rinjtë, që nuk kanë kryer këtë akademi artistike, përmes studiove dhe shesheve të saja të xhirimit.Kinostudioja i rriti artistët dhe u rrit prej tyre.
Kompozitorët tanë të mirënjohur, si: Tish Daija, Kujtim Laro (ky Enio Morikone i filmit shqiptar), Limoz Dizdari, Aleksandër Peci, Aleksandër Lalo, Robert Radoja etj. kanë ravijëzuar profilet e
tyre artistike edhe në saje te kompozimeve të mrekullueshme si kolona zanore të filmave shqiptarë. Piktorë të shquar, si koloristi që sot gëzon famë ndërkombëtare Alush Shima (dhe që konsiderohet nga kritika botërore, si një Van Gog shqiptar), Namik Prizëreni, Myrteza Fyshekati, Astrit Tota, Arben Basha, Ilia Xhokaxhi, Shyqyri Sako, Sabri Basha, Dashamir Turku, Vangjel Gjikondi etj. janë me karrierë të gjatë ne jetën e kinematografisë shqiptare, si piktorë të filmit. Gruaja
shqiptare ka një vend të posaçëm dhe një kontribut të veçantë në kinematografinë shqipëtare, që nga Vitori Çeli, Adriana Elini, Gjinofeva Heba (piktore e kostumeve në filmin Skëndërbeu) Marika Vila,
Shpresa Papavallo, Liri Brahimi, Mariianthi Qemo, Krisanthi Kotmilo, të cilat hodhën hapat e parë, të pasuar nga Xhanfise Keko (e cila, me asamblin e saj të filmave për fëmijë, ka dhënë një kontribut gati
unikal, duke lënë si trashëgimi një antologji të kinematografisë për fëmijë), Irena Harito, Donika Muci, Natasha Lako, Neriman Resuli, Elsa Bushati, Mira Mamaqi, Nina Harito, Elpiniqi Coja, Mimoza Nano, Nazmie Sula, Luçie Gjonçaj, Dallëndyshe Baboci, Sonja Mamaqi, Diana Diamanti, Liliana Tesho, Diana Keta, Elda Pishtari etj. etj., të cilat kanë sakrifuar dhe thyer mjaft tabu, jo të thjeshta për t'u kapërcyer në atë kohë, që fliste për emancipim, por që kish nevojë të emancipohej edhe vetë, sepse qytetërimi nuk është propagandë, si mendohej.
Ky përvjetor gjysmëshekullor, ngarkon me detyrimin e vënies në pah të kontributit të kinostudios "Shqipëria sot" edhe në prodhimin e filmit dokumentar, me të tërë zhanret e tija, si një kontribut që fotografon jetën në dinamizmin e saj të gjallë, pa zbukurim, por si një thirje, që të detyron ta shohësh atë me përgjegjësinë e të treguarit të së vërtetës. Ajo qëndron natyrshëm tek njerëzit që janë vetvetja dhe nuk
përkulen, veçse nën peshën e saj. Shumë figura të historisë sonë kombëtare janë shpalosur edhe përmes tregimit të kronikës dokumentare. Ato kanë shërbyer si një enciklopedi e personaliteteve tona në kohëra.
Është i vyer kontributi i kronistëve vizualë, mjeshtërve të filmit dokumentar, si Endri Keko, Luan Dibra, Pashko Çomo, Qerim Mato, Jani Nano, Kujtim Gjonaj, Xhezair Dafaj, Luan Rama, Petraq Lubonja, Shkëlzen Shala, Lionel Konomi, Niko Treni, Halil Kamberi, Pëllumb Kallfa, Petrit Ruka, Jovan Kondakçi etj. Filmi i animuar solli një prurje të re estetike dhe gjallëroi jetën artistike të kinostudios, sepse kjo formë kaq interesante të shprehuri, sidomos për fëmijët, rriti komunikimin dhe fantazinë. Ndaj mjeshtrat e tij, si: Bujar Kapexhiu, Vlash Droboniku, Boris Ikonomi, Gazmend Leka, Artur Dauti, Vllasova Musta,
Majlinda Agolli, Gjin Varfi, janë artistë që meritojnë respekt dhe konsideratë për atë që realizuan në vite.

* * *
Në optikën e sotme, filmi shqiptar duket sa dinjitoz në udhën e përshkruar, po aq ambicioz për të vijuar udhëtimin, në kushtet kur liria e krijimit dhe e konkurrimit është e paanë, por mundësia e realizimit është e kufizuar.
Filmi sot është jo vetëm art, por edhe industri. Ndaj në kuadrin e një
tregu global, periferia mund të tronditë me gjetjet specifike dhe trajtimet krejt interesante të tyre si edhe ka ndodhur me prodhimet e këtyre 12 viteve të fundit, me filmat e regjisorëve, Kujtim Çashkut,
Fatmir Koçit, Gjergj Xhuvanit, Saimir Kumbaros, Besnik Bishës, Vladimir Priftit, Spartak Pecanit, Esat Mysliut, Ibrahim Muçës, Artan Minarollit, të cilët kanë merritën që po e mbajnë gjallë këtë art. Në
krah të tyre është krijimtaria e kameramanëve të mrekullueshëm, si Bardhyl Martiniani, Mihal Rama, Spartak Papadhimitri etj. Sot trupa e kinostudios është e shpërndarë në pothuaj të gjitha stacionet private
televizive, në median e shkruar dhe kudo ku kërkohet kontributi I këtyre artistëve. Ata kthehen pas këtij gjysmëshekulli, sërish në folen e vjetër, si nga një shtegtim tejet i gjatë. Jo për t'u rivendosur atje
ku u lindën dhe u rritën, por për t'u çmallur me godinën e boshatisur, e cila është një histori dhe tragjedi më vete, sa njerëzore aq edhe filmike. Ajo është e braktisur dhe ky paskësh qenë injorimi më i madh
që mund t'i bëhej këtij institucioni. Si nën një patologji mallkimi, duket sikur kemi vendosur të heqim kujtesën dhe të shohim vetëm ndriçimin e të tjerëve. Sepse sjelljet u dashkërkan të huaja, ushqimet
po ashtu, veshjet po se po, ndaj edhe filmat na duhen vetëm të huaj, si ushqim shpirtëror importi dhe ëndërrime nga metropoli. Pastaj emrin tonë mund ta vëmë si të mundim, sepse kështu do të jemi "modern", të veshur me kostumin e ngjyrosur, si gaztorë. Qeshim dhe qajmë me historinë e të tjerëve. Pa kujtesë do të jemi, pa histori. Pa histori je pa dinjitet, pa dinjitet do të thotë pa ekzistencë. Mungesa e filmit shqiptar është vetëvrasje e historisë dhe artit kombëtar, është çemërim snob i identitetit, përpjekje për të mos parë fytyrën, rrudhat dhe profilin, bukurinë dhe shëmtimin. Një popull shumë i vogël është ai
boshnjak, por, me filmat dhe çmimet ndërkombëtare, tërheq vëmendjen më shumë se me çdo gjë tjetër të tij. Kjo po ndodh së fundi edhe me disa filma tanët, por ata janë ralizime, pothuaj vetëm të sakrificës së
autorëve të tyre dinjitozë. "Tirana viti zero", i regjisorit Fatmir Koçi, merr çmimin "Aleksandri i Madh". Ky është një eveniment shumë domethënës, por kurrsesi i tillë për politikën zyrtare, e cila nuk
dhuron dot dashuri për filmin shqiptar, sepse ajo është e një lloji të veçantë.
Ne jemi sot i vetmi vend në Evropë, që nuk jemi të anëtarësuar në Euro-Imazh, organizmi evropian i kinematografisë, sepse nuk gjejmë dot paratë e anëtarësimit. Pa çka se gjejmë para që të shfaqemi se "Duam më shumë Shqipërinë" edhe kur jemi jashtë saj dhe kur e kemi braktisur në kohë tejet të vështira, për shkak të një rehatie krejt personale dhe egoiste. Politika zyrtare e duartroket këtë hare të gënjeshtërt, sepse atje rehatohet nga mungesa e shikimit në sy.
Politikat kulturore japin mbështetje financiare, por për koncerte disaorëshe të muzikës moderne dhe lavdërohen me to, si të kenë udhëtuar në Mars, por për t'u futur në Evropë përmes filmit shqiptar, nuk ka
para. Bashkëprodhimet në këto rrethaa janë skajshëm më të vështirat për kineastët shqiptarë, sepse ato shtëpi filmike të huaja, që japin para për xhirimin e filmit, vënë kushte shumë të vështira për palën
shqiptare. Qoftë në konceptimin e filmit, sepse ata e shohin atë me sytë e tregut të tyre të konsumimit, qoftë edhe në mundësitë e shfaqjes së tij vetëm në sallat e tyre, sepse ata janë producentët kryesorë.
Ndaj në këto kushte, filma prodhojmë dhe filma nuk kemi për audience tonë.
50 vjet kontribut nuk duhet kurrsesi të humbasë dhe të braktiset, sepse nëse kjo do të ndodhë, nuk është çudi, që kështu të humbasë dramaturgjia shqiptare, muzika jonë e mirëfilltë, korografia e
mrekullueshme, folklori brilant dhe të na mbesin si relike apo "kulla të krenarisë", gjithçka që nuk është shqiptare, por prodhim standard I shoqërisë së konsumit. Fundi i kazanit për një vend të vogël, i cili
duhet të rrijë sus, sepse mund t'ia bëjnë kozmopolit dhe eurokrat edhe ajrin që duhet të thithë. Ky përvjetor duhet të shkundë dekorin zyrtar të politikave kulturore. Ai duhet të zgjojë vetëdijen e kineastëve që nga "gjeneralët" dhe deri tek ai "ushtari i thjeshtë" (ndriçuesi), sepse arti filmik është gjini kolektive, si në konceptim edhe në realizim. Braktisja e profesioneve të domosdoshme, duke larguar njerëzit apo duke injoruar dhe braktisur ata, që për 50 vjet kontribuan për kinematografinë tonë. Përpjekjet e disa individëve për t'u shndërruar në pronarë të filmit dhe të banesës së tij është nisje-udhëtimi për në funeral-film, sepse, më së pari, ky individ nuk është më artist, por biznesmen arti dhe këtu rrugët ndahen. Humbet
fisnikëria dhe udhëheqin interesat ekonomikë. Fundi dihet, por kjo llojë vetëvrasjeje do të vlejë në një të ardhme jo të largët, vetëm si subjekt për një film me titull "Vdekja e filmit". Një shoqëri e tillë,
as mund të jetë e pavarur, as e emancipuar, as e aftë që të ofrojë parametra integrimi tek bashkësitë e përparuara, sepse ajo nuk ka vetëdije dhe instrumentet e saja krijuese, vetëmbrojtëse dhe
korrigjuese.


"Fëmijët e saj", 1957 (regjisor Hysen Hakani)
"Tana" 1958 (regjisor Kristaq Dhamo)
"Debatik" 1961 (regjisor Niko Kolera). U cilësua si filmi më i mirë i paraqitur
në retrospektivën e filmit shqiptar në festivalin e XV në Xhifone (Itali, më 1985.
"Plagë të vjetra" 1969 (regjisor Dhimitër Anagnosti) Lauruar me çmimin e Republikës së /klasit të II për skenarin dhe regjinë.
"Kapedani" 1972 (regjisor Fehmi Hoshafi) Albert Verria u nderua me Çmimin e
Republikës së Klasit të I për interpretimin e rolit të xha Sulos
"Rrugë të bardha" 1974 (regjisor Viktor Gjika) Lauruar me Çmimin e Republikës së klasit të II për regjinë
"Beni ecën vetë" 1975 (regjisore Xhanfise Keko) U shpall filmi më i mirë në
Festivalin e I të filmit shqiptar-prill 1976. U nderua me Çmimin e Republikës së Klasit të I për regjinë dhe çmimin e klasit të III për skenarin e Kiço Blushit. U nderua me çmim të vecantë në festivalin e
VIII ndërkombëtar të filmave për fëmijë dhe të rinj në Xhifone Vale Piana, Salerno- Itali-prill 1978. Mori çmim të vecantë në festivalin ndërkombëtar të filmave në Beograd-1976 "Çifti i lumtur" 1975
(regjisor Piro Milkani) Tinka kurti për rolin e nënës dhe Beb Shiroka për rolin e fanatikut u nderuan me çmim të vecantë në Festivalin e I të filmit shqiptar.
"Në fillim të verës" 1975 (regjisor Gëzim Erebara)
Filmi fitoi çmimin e dytë për skenarin në konkursin kombëtar letraro-artstik . U shpall filmi më i mirë në Festivalin e I të filmit shqiptar.
"Rrugicat që kërkonin diell" 1975 (regjisor Rikard Ljarja)
Regjisorët Saimir Kumbaro dhe Rikard Ljarja si dhe aktorët Mevlan Shanaj, Demir Hyskja, Pandi Raidhi dhe Ndrek Luca u nderuan me çmim të vecantë dhe me medaljen e Festivalit të I të filmit shqiptar.
"Dimri i fundit" 1976 (regjisor Ibrahim Muça e Kristaq Mitro) Skenari fitoi çmimin e dytë në konkursin kombëtar të dramaturgjisë më 1976. Regjisorët u nderuan me çmimin e vecantë. Aktorët Xhepa, Bulku dhe
Laska me medaljen e interpretimit "Lulëkuqet mbi mure" 1976 (regjisor Dhimitër Anagnosti) skenari fitoi çmimin e dytë në konkursin kombëtar të dramaturgjisë. U shpall filmi më i mirë në festivalin e II
të filmit shqiptar në 1977 ndërsa Timo Flloko, Agim Qiriaqi dhe Kadri Roshi morën medaljen e festivalit. Filmi mori çmimin e parë në festivalin ndërkombëtar të filmave Beograd në shkurt të 1980. U
vlerësua me medaljen e artë të festivalit ndërkombëtar të Salernos -Itali 1985.
"Zonja nga qyteti" 1976 (regjisor Piro Milkani) regjisori dhe interpretuesja Violeta Manushi morën medaljen në Festivalin e I të filmit shqiptar.
"Tomka dhe shokët e tij" 1977 (regjisore Xhanfise Keko) Filmi fitoi çmim të posaçëm në festivalin e
VIII ndërkombëtar të filmave pr fëmijë dhe të rinj. 
"Gjeneral gramafoni" 1978 (regjisor Viktor Gjika) U shpall filmi më i mirë në festivalin e III të filmit shqiptar prill 1979. Mori diplomë nderi në festivalin e III të filmit ballkanik në Stamboll në prill të 1979.

No comments:

Post a Comment