Gjendja e përgjithshme e arkitekturës kineze
Arkitektura kineze me karakteristikat e saj
është pjesë e rëndësishme përbërëse e civilizimit të ndritur kinez. Arkitektura
kineze së bashku me arkitekturën perëndimore dhe arkitekturën islame përbëjnë
tre sistemet më të mëdha arkitekturale në botë.
Arkitektura kineze përbën të vetmin sistem
arkitektural në botë kryesisht me konstruksione druri dhe është mishërimi i
thellë i pikëpamjeve të kinezëve për etikën, estetikën, vlerën dhe natyrën.
Arkitektura kineze, që bazohet mbi tradita të shëndosha kulturore, ka këto
karakteristika kryesore: në arkitekturën kineze zënë vend të dukshëm ideja për
pozitën supreme të fuqisë së perandorit dhe koncepti për rendin e rreptë të
hierarkisë, prandaj sukseset në planifikimin e pallateve dhe kryeqyteteve janë
shumë të mëdha; rëndësi e veçantë i kushtohet bukurisë së kombinimit të
blloqeve të ndërtesave dhe këto blloqe ndërtesash shpërndahen kryesisht në
oborre, që ndodhen në të dy anët e një boshti të simetrisë; në arkitekturën
kineze respektohet natyrshmja dhe i kushtohet rëndësi harmonisë së lartë me
natyrën; u kushtohet rëndësi e veçantë synimeve për bukuri neutrale, modeste,
të përmbajtur dhe të thellë.
Gjatë
viteve të kaluara, arkitekët kinezë u kushtuan rëndësi shkëmbimeve me vende të
tjera në fushën e veçorive artistike dhe të teknikës, arkitektura kineze
ushtroi ndikime të rëndësishme mbi arkitekturën Japoneye, Koreane, Vietnameye,
Mongole dhe të vendeve të tjera. Sot, krahas ruajtjes së stilit të vet
tradicional, arkitektura moderne kineze përfiton njëkohësisht nga veçoritë
artistike perëndimore, duke marrë të mirat nga shumë anë dhe duke u zhvilluar
pandërprerë.
Arkitektura
e ndërtimit të pallateve
Arkitektura e ndërtimit të pallateve quhet
edhe arkitektura e oborreve perandorake. Kjo do të thotë ndërtesat me
përpjesëtime të mëdha dhe me stil madhështor, që u ndërtuan me vendimin e
perandorit me qëllim për të konsoliduar sundimin e tij, për të vënë në dukje
rreptësinë e fuqisë së tij dhe për të plotësuar rehatinë e jetës së tij
shpirtërore dhe materiale. Shumica e këtyre ndërtesave janë luksoze dhe
madhështore.
Duke
filluar nga dinastia Çin, “pallatet” u bënë terren banimi për perandorin dhe
familjen perandorake, kurse pallatet me salla u bënë terren ku perandori
trajtonte çështjet shtetërore. Pallatet kineze kanë këto karakteristika tipike:
kanë hapësirë të madhe, kanë çati të mbuluar me tjegulla qeramike të verdha si
flori, kanë tavan me vizatime dhe skulptura të bukura, kanë shkalla, parmakë
dhe shtylla prej nefriti të bardhë si dhe ndërtesa të vogla përreth. Pallati
Taihë në oborrin perandorak në Pekin është një pallat tipik i tillë.
Me
qëllim që të mishëroheshin ideja për pozitën supreme të fuqisë perandorake dhe
koncepti për hierarkinë me fuqinë perandorake si bërthamë, në arkitekturën e
ndërtimit të pallateve në kohët e lashta në Kinë u përdor mënyra e rreptë e
shpërndarjes së boshtit të simetrisë: domethënë, ndërtesat në boshtin qendror
janë të larta dhe luksoze, kurse ndërtesat në të dy anët e boshtit janë të
ulëta dhe të thjeshta. Ndërtesat brenda oborrit perandorak gjithashtu ndaheshin
në dy pjesë: pallatet e përparme ishin terren ku perandori trajtonte çështjet
shtetërore ose organizonte ceremoni, kurse pallatet e prapme ishin terrren ku
flinin perandori dhe gratë e tij.
Oborri
perandorak në Pekin, i cili quhet ndryshe edhe Qyteti i Ndaluar, mund të
shërbejë si shëmbull i arkitekturës së ndërtimit të pallateve në Kinë. Këtu
jetuan perandorët e 24 brezave të dinastisë Ming dhe dinastisë Qing. Qyteti i Ndaluar
zë një sipërfaqe prej 720 mijë metrash katërore dhe ka më se 9000 dhoma.
Përreth tij është një mur rrethues disa metra i lartë me ngjyrë të kuqe dhe me
një diametër 3400 metrash. Jashtë murit rrethues është një kanal mbrojtës.
Qyteti
i Ndaluar ndahet në pjesën e përparme dhe pjesën e prapme. Pjesa e përparme
është terren ku perandori organizonte ceremoni dhe shpallte dekrete. Ndërtesa
kryesore në të janë pallati Tajhë, pallati Zhonghë dhe pallati Baohë, të cilat
janë ndërtuar mbi një bazament 8 mertra të lartë të bërë me gurë nefriti të
bardhë. Po të soditësh nga larg, këto tre pallate duken si paraisa në
mitologji. Pjesa e prapme e Qytetit të Ndaluar, që quhet “oborri i brendshëm”,
është vendi ku perandori trajtonte çështjet administrative dhe terren ku flinin
konkubinat e tij. Ndërtesat kryesore në të janë pallati Qianqing, pallati
Kunning, parku perandorak e të tjera, të cilat kanë një atmosferë të theksuar
jete. Në to përfshihen edhe lulishte, sallat e leximit, tendat, kodrat
artificiale e të tjera. Secili nga këto pallate ka një oborr të vogël me vete.
Nga pikëpamja e përgjithshme, për shkak të
ndërrimit të dinastive dhe të luftrave, në Kinë nuk janë ruajtur shumë pallate
të kohëve të lashta. Megjithatë, krahas me oborrin perandorak në Pekin, janë
ruajtur mirë edhe oborri perandorak në Shen-jang dhe vende muze të pallateve
perandorake të dinastive Han dhe Tang në Si-an.
Tempujt
Tempujt përbëjnë një pjesë të veprave të
arkitekturës budiste në Kinë. Arkitektura e tempujve, që buroi nga India, u
zhvillua në Kinë duke filluar nga dinastia e Veit Verior. Këto ndërtesa
shënojnë procesin e zhvillimit të kulturës në shoqërinë feudale kineze,
shënojnë edhe lulëzimin dhe rënien e feve, prandaj ato kanë vlerë të madhe
historike dhe artistike.
Lidhur
me shpërndarjet arkitekturale, kinezët e kohëve të lashta patën botëkuptimin
për anët pozitive dhe negative të natyrës, patën edhe psikikën estetike për
simetrinë, rendin dhe stabilitetin. Prandaj, budistët kinezë trashëguan
traditën karakteristike kineze për faljen paraardhësve, qiellit dhe tokës,
vazhduan ndërtimin e blloqeve të ndërtesave të trajtës katërore të planit, të
shpërndarjes me boshtin nga jugu në veri dhe të simetrisë. Krahas kësaj, në
Kinë ka edhe shumë tempuj të shpërndarjes arkitekturale në formën e parqeve. Si
rezultat i këtyre dy shpërndarjeve artistike, tempujt në Kinë kanë atmosferë
solemne dhe bukuri natyrore.
Shumica
e tempujve të ndërtuar në kohët e lashta në Kinë e kanë portën qendrore në fund
të rrugës kryesore; kanë kështjellën me kambana në të majtë dhe kështjellën me
daulle në të djathtë të rrugës; më tej është pallati Tianvang; prapa atij janë
pallati Dashiong Boadian dhe një ndërtesë për ruajtjen e kanuneve klasike; në
të dy anët e tyre janë ndërtesat e fjetjes të budistëve dhe salla e ngrënies.
Pallati Dashiong Baodian është ndërtesa më e rëndësishme dhe më madhështore në
një tempull budist. “Dashiong” do të thotë Sakia Muni, themelues i budizmit.
Tempulli Bai-ma në Luojang :
Tempulli Bai-ma, që do të thotë “tempulli i
kalit të bardhë” dhe që gjendet në qytetin Luojang të provincës Hënan, u
ndërtua gjatë dinastisë Han. Ai ka qenë tempulli më i hershëm i ndërtuar nga
pala zyrtare kineze. Oborri i tempullit Baima, që është në trajtën e
katërkëndëshit kënddrejtë, zë një sipërfaqe prej 40 mijë matrash katrore.
Ndërtimi i këtij tempulli nxiti fuqimisht zhvillimin e budizmit në Kinë dhe në
vende të tjera të Azisë Lindore dhe Azisë Juglindore. Prandaj deri më sot
tempulli Bai-ma shërben si terren pelegrinazhi për budistët e shumë vendeve.
Ndërtesat
budiste në malin Wutaishan
Mali Wutaishan në provincën Shansi është një
vend i famshëm pelegrinazhi budist në Kinë. Në këtë mal janë ruajtur 58
ndërtesa të lashta budiste. Ndër to, tempujt relativisht më të njohur janë
Tempulli Nançan dhe Tempulli Foguang, të ndërtuar në kohën e dinastisë Tang.
Tempulli Nançan është ndërtesa më e hershme me konstruksion prej druri, e
ruajtur në Kinë. Në ndërtimin e Tempullit Foguang, ruhen format arkitekturore
të periudhave të ndryshme të Kinës. Ndërtesat, skulpturat, afresket dhe veprat
kaligrafike të këtij tempulli quhen “Katër Mrekullira”.
Tempulli
Shyankong në malin Hëngshan:
Vlen të
përmendet edhe tempulli Shyankong në malin verior Hëngshan. Emri i tij
“Shyankong” do të thotë “i varur në ajër”. Format e ndërtesave të tij janë me
karakteristika të veçanta dhe janë të rralla në arkitekturë. Ky tempull, që
ndodhet 3.5 kilometra larg kryeqendrës së distriktit Hun-juan të provincës
Shansi, është ndërtuar në mesin e malit, në shkëmb dhe poshtë tij është një
humnerë mbi luginën Gjinlong. Në Kinë, ato janë të vetmet ndërtesa me
konstruksione druri të ndërtuara në shkëmb mbi humnerë. Tempulli Shyankong
është kurioziteti i parë në malin Hëngshan verior. Ai u ndërtua në kohën e
dinastisë Vei Verior dhe u riparua radhazi gjatë dinastive Tang, Gjin, Ming dhe
Qing.
Pallati
Potala:
Lamaizmi është një sekt i budizmit në Kinë.
Arkitektura lamaiste e ndërtimit karakterizohet nga përmasa e madhe e pallatit,
nga lartësia e sallës së kanunit dhe nga ndërtimi sipas relievit malor. Pallati
Potala, që gjendet në qytetin Lhasa të Tibetit, është ndërtesë tipike e
arkitekturës lamaiste të tempujve. Ky pallat, që u ndërtua në kohën e dinastisë
Tang, u riparua dhe u zgjerua disa herë gjatë dinastive të tjera dhe u bë një
bllok i madh ndërtesash. I gjithë blloku i ndërtesave, që është në një mal dhe
që duket shtresë-shtresë, është i shkëlqyeshëm dhe madhështor. Ai ka një
sipërfaqe prej 20 mijë metrash katrore. Brenda tij ka më se 20 pallate dhe në
pallatin qendror është një statujë e bronztë e galvanizuar me ar i themeluesit
të budizmit Sakia Muni në moshën 12 vjeçare. Pallati Potala ka karakteristika
tipike të arkitekturës së dinastisë Tang dhe njëkohësisht ka marrë ngjyrime të
arkitekturës napaleze dhe indiane.
Krahas
këtyre,Lamatempulli i Pekinit dhe 8 Tempujt Waiba në Cheng De i përkasin arkitekturës
Lamaiste.
Ndërtesat
e parqeve
Arkitektura kineze e ndërtimit të parqeve ka
një histori të gjatë dhe gëzon famë në historinë e arkitekturës së parqeve në
botë. Kina pati parqet më të hershme mbretërore qysh në kohën e dinastisë Zhou
3000 vjet më parë. Parqet në Kinë janë të larmishme dhe zënë pozitë të ndritur
në tre sistemet e arkitekturës së parqeve në botë.
Në
arkitekturën kineze të parqeve përfshihen parqet e mëdha perandorake dhe parqet
private. Ndërtesat e parqeve zbukurohen me anën e maleve dhe ujërave, drurëve
dhe luleve, oborreve, salloneve, urave dhe kaligrafive në antiteza, si
rezultat, malet, shkëmbinjtë dhe ujërat kanë ngjyrime poetike.
Idealet
e parqeve kineze ndahen në përgjithësi në këto pjesë: i pari, ideali shoqëror
që pasqyron idetë e Konfucizmit, i cili synonte për praktikën dhe ndjenjat e
larta të përgjegjësisë shoqërore, i kushtonte rëndësi vlerës së moralit dhe
etikës si dhe rëndësisë së politikës; i dyti, ideali i shenjtë, që do të thotë
që në ndërtimin e parqeve të tregohet pikëpamja estetike romantike, t'i
kushtohet rëndësi përmbajtjes së mendimeve të taoizmit, i cili kërkon diçka
natyrore dhe qetësi, ruajtjes së gjendjes së qetë shpirtërore; i treti, ideali
natyror, që i kushton rëndësi shkrimit të domethënies dhe ndjenjave të
pronarëve të parqeve. Parku i famshëm Juanming Juan në Pekin, tempulli Guçang
taoist në malin Qingçeng të provincës Siçuan dhe disa parqe private të
intelektualëve pasqyrojnë përkatësisht tre idealet e sipërpërmendur.
Parqet
kineze dhe parqet perëndimore kanë këtë ndryshim: në ndërtimin e parqeve
perëndimore zbatohen parimet matematike të gjeometrisë që e marrin arkitekturën
si kryesore, kurse në ndërtimin e parqeve kineze peizazhi natyror dhe ndijimet
e bukura të vizitorëve janë kryesore dhe i kushtohet kombinimit të njeriut me
natyrën.
Parqet
në Suzhou:
Parqet klasike të qytetit Suzhou, që në vitin
1997 u përfshinë në “Listën e emrave të trashëgimive botërore”, mishërojnë në
mënyrë të theksuar veçoritë artistike të arkitekturës kineze të ndërtimit të
parqeve. Historia e parqeve të Suzhout arrin në 2000 vjet dhe sot janë ruajtur
më se 10 parqe të njohura prej tyre. Shumica e parqeve të Suzhout nuk zënë
sipërfaqe të madhe dhe janë ndërtuar duke u aplikuar metodat artistike të
ndryshimit të shablloneve. Ato zbukurohen me kodra artificiale dhe dru, me
ujëra dhe ura, me lule dhe barëra, me tenda, hauza dhe zogj, ashtu siç
përshkruhen në veprat poetike të dinastive Tang dhe Song. Të gjitha këto, që
janë në një hapësirë të vogël, bëjnë efekt të mirë artistik. Ndër këto parqe të
famshme janë tenda Canglang, korije me luan, parku Zhuozheng, parku Liu e të
tjera.
Parku
Juanming-juan:
Parku Juanming-Juan në Pekin, që është parku
më i njohur perandorak në Kinë dhe që u quajt si “park universal”, ka
përqendruar në një të tërë artet e parqeve të stileve të ndryshme të të gjitha
krahinave të Kinës dhe ka marrë pjesërisht edhe stilin e arkitekturës
perëndimore. Ndërtesat në parkun Juanming-juan kanë qenë të mrekullueshme dhe
shumë interesante. Parku Juanming-juan jo vetëm ishte parku më i shkëlqyeshëm
me pallate në Kinën e asaj kohe, por ai u njoh edhe në Evropë dhe ushtroi një
ndikim mbi zhvillimin e ndërtimit të parqeve natyrore në Evropë në shekullin e
18-të. Ky park kaq i bukur u dogj në vitin 1860 nga trupat aleate
anglo-franceze, që ndërmorën agresion kundër Kinës.
Arkitektura
e ndërtimit të varrezave
Arkitektura e ndërtimit të varrezave ka qenë
pjesë e rëndësishme përbërëse e arkitekturës së lashtë kineze. Kinezët e kohëve
të lashta i kushtonin rëndësi varrimit, duke mbajtur konceptin se shpirti i
njeriut nuk zhduket edhe pas vdekjes, prandaj të gjithë njerëzit e shtresave të
ndryshme të atëhershme ndërtonin varret me shumë kujdes. Në procesin e gjatë të
historisë arkitektura kineze e ndërtimit të varrezave mori një zhvillim të
madh, u ndërtuan blloqe të mëdha dhe të rralla varrezash të monarkëve dhe grave
të tyre në kohët e lashta. Në procesin e evolucionit të historisë, arkitektura
e ndërtimit të varrezave u shkri dalëngadalë në një të tërë me artet e
pikturës, kaligrafisë, skulpturës dhe arteve të tjera dhe u bë një kompleks që
pasqyron arritjet e arteve të shumë llojeve.
Ndërtesat në varreza kanë qenë një nga blloqet
e ndërtesave më të mëdha të ndërtesave në kohët e lashta. Ato u ndërtuan në
përgjithësi duke u mbështetur në male dhe duke shfrytëzuar relievin natyror,
vetëm një pjesë e vogël e tyre janë ndërtuar në fushë. Shumica e tyre kanë
patur mure dhe porta në të katër anët, kanë patur edhe kështjella në të katër
qoshet. Përpara varrezave ka patur rrugë, në të dy anët e rrugëve rreshtoheshin
njerëz dhe kafshë të gdhendur në gurë, kurse brenda varrezave ishin mbjellë
pisha dhe drurë të tjerë, që të lënë përshtypje të solemnitetit dhe qetësisë.
Varreza e perandorit Çin Shi-huang:
Varreza
e perandorit Çin Shi-huang, që u ndërtua para më se 2000 vjetëve në pllajën
veriore të malit Lishan në periferi të qytetit Si-an, është varreza më e njohur
në Kinë. Terrakotat e ushtarëve dhe kuajve në varrezën e perandorit Çin
Shi-huang, që quhen si “mrekullia e 8-të në botë” dhe që qendrojnë atje si
“trupa ushtarake” rojtarë në varrezë, janë bërë me teknologji të lartë dhe
duken madhështore. Ato u përfshinë në vitin 1987 ndër “Listën e emrave të
trashëgimive botërore”. Duke i komentuar ato, komisioni i trashëgimive botërore
shprehu mendimin se terrakotat e famshme përreth varrezës të perandorit Çin
Shi-huang kanë figura të larmishme, së bashku me kuajt luftarake, qerret
luftarake dhe armët e tyre përbëjnë kryevepër të përsosur realiste dhe kanë vlerë
shumë të lartë historike.
Varreza
të tjera në Si-an:
Periferia e qytetit Si-an të provincës Shensi
është zonë ku përqendrohen shumë varreza të monarkëve kinezë të kohëve të
lashta. Krahas me varrezën e perandorit Çin Shi-huang, janë ruajtur edhe
varreza të 11 perandorëve të dinastisë Han dhe të 18 perandorëve të dinastisë
Tang. Ndër to, varreza Maoling e Liu Çesë, perandor Vudi i dinastisë Han, është
varreza me përpjesëtimet më të mëdha ndër varrezat e perandorëve të dinastisë
Han Perëndimor, atje janë mbuluar më shumë sende të çmuara. Varreza Zhaoling,
që është varreza e perandorit Taizong të dinastisë Tang, ka një sipërfaqe shumë
të madhe dhe brenda asaj janë edhe varre të 17 ministrave me merita dhe të
afërmve të tij. Në varrezën Zhaoling janë zbuluar sende të çmuara kulturore. Më
e famshmja prej tyre është kryevepra skulpturore e dinastisë Tang me titull
“Gjashtë kuaj të bukur”.
Varrezat e perandorëve të dinastive Ming dhe
Qing:
Varrezat e perandorëve të dinastisë Ming
gjenden kryesisht në rajonin Çang-ping të Pekinit dhe quhen Trembëdhejtë
varrezat. Ato janë një bllok varrezash të 13 perandorëve të dinastisë Ming pas
caktimit të Pekinit si kryeqytet. Sipërfaqja e tyre arrin 40 kilomtra katrore.
Në 13 varrezat ekziston blloku më i përqendruar dhe më i plotë i ndërtesave të
varrezave në Kinë. Ndër to, më madhështoret janë varreza Çang-ling, që është
varreza e Zhu Diut, perandor Çenzu i dinastisë Ming, dhe varreza Ding-ling, që
është varreza e Zhu Yi-junit, perandor Shenzu i dinastisë Ming. Pasi u bënë
gërmime, u zbulua se pallati nëntokësor në varrezën Ding-ling ka konstruksion
shumë të fortë prej guri në formë harku; ka instalime të përsosura të
kanalizimit përreth, prandaj në të nuk ishte grumbulluar shumë ujë; nuk kishte
rënë asnjë pjesë e konstruksionit prej guri në formë harku. Kjo demostron
plotësisht teknikën e lartë të kinezëve të atëhershëm në ndërtimin e paisjeve
nëntokësore.
Varreza
Dong-ling e dinastisë Qing, që ka një sipërfaqe prej 78 kilometrash katrore,
është varreza me përpjesëtimet më të mëdha dhe me sistem më të plotë ndërtimi.
Në të janë varrosur 5 perandorë të dinastisë Qing, 14 perandoresha dhe më se
100 konkubina. Ndërtesat kryesore të varrezës Dong-ling janë madhështore dhe të
bukura.
Ndërtesat
e banimit
Ndërtesat e banimit në krahina të ndryshme të
Kinës, që quhen edhe banesa, përbëjnë llojin më themelor të arkitekturës
kineze. Ato kanë dalë më herët, shpërndahen më gjerësisht dhe janë me sasinë më
të madhe. Për arsye se kushtet natyrore dhe ambienti kulturor në krahinat e
ndryshme të Kinës kanë difenrencime të mëdha, edhe ndërtesat e banimit në to
janë të shumëllojshme.
Banesat
tradicionale në zonat e kombësisë Han janë kryesisht banesa të rregullta.
Oborret e formës katrore në Pekin janë shëmbuj tipikë të këtyre banesave.
Oborret e formës katrore në Pekin ndahen në oborrin e përparmë dhe oborrin e
prapmë. Shtëpitë kryesore midis dy oborreve janë më të rëndësishme dhe përdoren
si terren për organizimin e ceremonive familjare dhe për pritjen e miqve të
veçantë. Shtëpitë në një oborr lidhjen me njëra tjetrën me anën e salloneve;
dyert dhe dritaret e të gjitha shtëpive në oborr i drejtohen qendrës së
oborrit. Oborret e formës katrore në Pekin kanë mishëruar konceptin dhe
sistemin patriarkal të familjes kineze në kohët e lashta. Nga ana tjetër, ato
kanë qenë hapësirë jetese shumë e preferuar, sepse oborret karakterizohen nga
gjerësia dhe qetësia dhe në to mund të mbillen lule dhe pemë. Pjesa më e madhe
e banesave civile në Kinën veriore dhe veriperëndimore janë banesa me oborre të
gjera.
Oborret
e formës katrore në Pekin
Banesat në Kinën jugore janë të ngjeshura dhe
shumica e tyre janë godina. Banesa tipike atje është godina me një oborr të
vogël të formës së katërkëndëshit kënddrejtë. Këto banesa, që nga pamja e
jashtme duken të rregullta dhe të thjeshta, shpërndahen gjerësisht në provincat
e Kinës jugore.
Banorët
që flasin në dialektin Këgjia dhe që banojnë në pjesën jugore të provincës
Fugjan, në pjesën veriore të provincës Guangdong dhe në pjesën veriore të
rajonit Guangsi-xhuang kanë banesa me oborre të mëdha kolektive. Planimetritë e
këtyre banesave janë të rrumbllakta ose të trajtës katrore. Ato përbëhen nga
salla përdhese në qendër dhe godinat katërkatëshe ose pesëkatëshe përreth. Këto
ndërtesa kanë funksion të fortë mbrojtës. Të marrim si shëmbull godinat e këtij
lloji në distriktin Jongding në provincës Fugjan. Në këtë distrikt ekzistojnë
8000 godina të tilla, të formave katrore, të rrumbullaktë, të tetëkëndëshit dhe
eliptike. Këto godina janë të mëdha dhe të bukura, janë praktike dhe
karakteristike. Ato formojnë një botë të shkëlqyeshme të banesave civile.
Arkitektura
e banesave të pakicave kombëtare:
Shtëpitë e banimit në krahinat e banuara nga
pakicat kombëtare të Kinës gjithashtu janë të larmishme. Për shëmbull, kombësia
ujgure në Singjang të Kinës veriperëndimore ka më shumë shtëpi përdhese,
dykatëshe a trekatëshe me çati të sheshtë dhe me oborr. Shtëpitë tipike të
kombësisë tibetiane, që quhen “shtëpi kështjellë”, kanë mure të jashtme të bëra
me gurë dhe me çati të sheshtë prej druri. Banorët e kombësisë mongole flenë në
përgjithësi në çadra të lëvizshme, që quhen çadra mongole. Kurse pakicat
kombëtare në Kinën jugperëndimore ndërtojnë në përgjithësi shtëpi dykatëshe me
konstruksione druri dhe me parmakë. Ato shtëpi ndërtohen përpara një mali dhe
në breg të një lumi ose liqeni. Dhomat e fjetjes janë në katin e dytë, kurse
kati i parë lihet bosh. Ndër to, shtëpitë dykatëshe prej bambuje të kombësisë
Dai në provincën Junan janë më karakteristike. Shtëpitë dykatëshe ose
trekatëshe të kombësive Miao dhe Tugja, që quhen shtëpi me kombë të varur,
gjithashtu janë karakteristike. Ato shtëpi, që ndërtohen në pëgjithësi në vende
të pjerrta, nuk kanë bazamend, por mbështeten me shtylla. Kati i sipërmë është
shumë i ulët, sepse përdoret vetëm për të ruajtur drithra dhe jo për të fjetur.
Kurse në katin e parë ruhen sende të ndryshme ose mbahen kafshët shtëpiake.
Guvat dhe banesat në qytete të lashta të Kinës
veriore:
Në
zonat veriore të rrjedhjes së sipërme dhe të mesme të lumit të Verdhë të Kinës
ka banesa të formës së guvës. Në provincat Shensi, Gansu, Hënan, Shansi e të
tjera, që ndodhen në rrafshnaltën e dheut të verdhë, një pjesë e banorëve
ndërtojnë banesa duke gërmuar guvë dhe duke i përpunuar me tulla dhe gurë.
Shpesh herë ata lidhin disa guva bashkë. Këto banesa kanë shumë të mira sepse
mbrohen më kollaj nga zjarri dhe nga zhurma, janë të ngrohta në dimër dhe të
freskëta në verë, nuk zënë shumë toka të punueshme dhe kursejnë punën në ndërtimin
e tyre. Ato kombinojnë pamjen natyrore me pamjen jetësore dhe përbëjnë një
formë të përsosur arkitekturale të përputhjes me kushtet vendase, dhe kjo formë
arkitekturale përmban dashurinë dhe dhembshurinë e banorëve vendas për tokat e
tyre në rrafshnaltën e dheut të verdhë.
Krahas
me këto, në Kinë janë ruajtur relativisht të plota qytete të lashta, në të
cilat ekzistojnë një numër i madh shtëpish banimi të kohëve të lashta. Ndër to,
qyteti i lashtë Ping-yao në provincën Shansi dhe qyuteti i lashtë Ligjang në
provincën Junan janë përfshirë në vitin 1998 ndër.
Qyteti Ping-yao, i cili ka qenë kryeqendër
distrikti në periudhën e dinastive Ming dhe Qing, është më i ploti ndër qytetet
e lashta të këtij lloji. Ai mund të shërbejë si shëmbull tipik i kryeqendrave
të distrikteve të kombësisë Han në krahinat e qendrore. Deri tani janë ruajtur
përgjithësisht të plota muret rrethuese, rrugët, banesat civile, dyqanet,
tempujt dhe ndërtesat e tjera të këtij qyteti të lashtë. Janë ruajtur si më
parë edhe shpërndarja e tij arkitekturale dhe stili i tij. Ai ka vlerë të madhe
për studimin e zhvillimit historik të Kinës në fushat politike, ekonomike,
kulturore, ushtarake, arkitekturale, artistike dhe fusha të tjera.
Qyteti
i lashtë Ligjang, i ndërtuar në kohën e dinastisë Song Jugor, është i vetmi
qytet ku janë shkrirë në një të tërë karakteristikat e arkitekturës
tradicionale të kombësisë Nasi dhe ato të arkitekturës së huaj. Qyteti i lashtë
Ligjang nuk është ndikuar nga ritet e krahinave qendrore në arkitekturën e
ndërtimit të qyteteve. Rrjeti i rrugëve në të nuk është i rregullt dhe ai nuk
pati mur rrethues. Hauzi Longtan është burimi kryesor i ujit në këtë qytet të
lashtë. Uji i hauzit ndahet në përrenj, që formojnë një rrjet uji dhe që
rrjedhin për në çdo familje. Kudo brenda këtij qyteti të lashtë shihen përrenj
gurgullues; purtekat e shelgjeve vajtues në brigjet e përrenjve fërkojnë
sipërfaqen e ujit.
No comments:
Post a Comment