11/15/12

Mitologjia shqiptare ne arkitekturen popullore






Mr. Sc. Flamur DOLI, arch.
Ornamentika popullore nga kompleksi i hyjnive mbrojtese tek shtepite e fshatit Vermice
Fshati Vërmicë gjendet në jug perëndim të Prizrenit. Ky vend banim është i banuar që nga para historia, përkatësisht që nga koha e neolitit, dhe i përkiste krahinës së Dardanisë. Në shekujt I-IV ishte stacion në rrugën Lissus -Naissus. Nga koha antike e vonë dhe mesjeta janë rrënojat e një bazilike paleokristiane dhe të një varreze mesjetare (shek.IX-XIII) pranë saj. Lënda antropologjike dëshmon se varreza u përkiste banorëve të tipave antropologjikë adriatikë dhe varianteve të tyre adriatike-mesdhetare, karakteristike për popullsinë arbërore.
Sipas strukturës morfologjike-urbanistike, fshati Vërmicë, në kuptimin më të gjerë, bën pjesë në tipin e shpërndarë (dispersiv) të vendbanimeve. Atë e sajojnë dhjetë mëhallë apo lagje. Meqë strukturimin e gjerë urbanistik të vendbanimit e sajojnë mëhallët, ai duhet përkufizuar si vendbanim i tipit të mëhallëve. Mëhallët e këtij fshati karakterizohen nga një zhvillim spontan dhe një strukturë krejtësisht e çregullt, por në harmoni me tiparet relievore të truallit. Grupimet e shtëpive sipas mëhallëve, me prejardhje të përbashkët familjare, shquhen për dendësi jo të njëjtë, herë–herë shumë të dendur, siç është rasti me mëhallën e Koçinajve. Rrjedha e një përroi, e cila kalon nëpër një luginë të thellë, Vërmicën e ndan në dy pjesë. Në pjesën jugperëndimore të saj janë të ngulitura këto mëhallë: mëhalla e Fanajve, mëhalla e Gjoçajve, mëhalla e Koçinajve, mëhalla e Çovanajve dhe mëhalla e Kadriajve. Ndërkaq, në anën verilindore të fshatit, shtrihen mëhallët e tjera, si ajo e Pulajve, pastaj, mëhalla e Rakajve, mëhalla e Kolukajve, mëhalla e Sulajve dhe mëhalla e Gjahajve.
Kulti i vendeve të larta - majat e nderimit pagan
Fshati Vërmicë është i ngulitur rrëzë malit Koritnik, dhe shtrihet mbi disa kodra të ngritura, të cilat krijojnë një peizash me një plastikë – përthyerje dinamike. Pozita e këtillë e fshatit mundëson një pamje të gjerë mbi gjithë arealin në mes maleve të Koritnikut dhe Pashtrikut (1989 m), si dhe mbi liqenin e Vërmicës. Nga çdo cep i këtij fshati, po ashtu, shpërthejnë pamje mahnitëse edhe mbi shpatijet e malit të Koritnikut, si dhe mbi majën e këtij mali me lartësi mbidetare 2395 metra.
Zumë ngoje majën e malit të Koritnikut, ngase kjo majë ka të bëjë me kultet e lashtësisë së popullit shqiptar. Siç mësojmë, Maja e Korinikut, si dhe maja e malit tjetër, përballë tij, Maja e Pashtrikut, që në kohët e lashta ishin maja të nderimit pagan. Nga shumë studime të bëra, kuptojmë se Dielli, deri në kohët e vona, ishte objekt adhurimi, dhe se atij i faleshin në mëngjes, në të lindur, në disa vende edhe në perëndim të tij. Dielli adhurohej si burim jetese, burim shëndeti, burim pjellorie dhe si objekt mbrojtës e dobiprurës.
Në fillim të shek. XX edhe studiuesi B. Nopça, kishte vënë re se Shqiptarët i faleshin Diellit sipas besimit pagan dhe se nderimi i majave të maleve, i disa vendeve të larta, ka të bëjë me kultin e Diellit. Në lidhje me kultin e Diellit, duhet përmendur se ndër shqiptarët e malësisë së Jugut e të Veriut, ka ekzistuar kulti i disa vendeve të larta ose i majave të maleve. Këtyre vendeve njerëzit u faleshin në mëngjes me të lindur dielli. Apo, në disa raste, në këto maja malesh, në data të caktuara të vitit zhvilloheshin ceremoni që kishin të bënin me Diellin. Vlen të theksohet se, ceremoni të caktuara rituale ndodhnin edhe në Majë të Gjallicës së Lumës (2486 m). Maja e Gjallicës, pastaj Maja e Pashtrikut, si dhe Maja e Koritnikut, komunikojnë vizualisht dhe gjenden jo fort larg njëra- tjetrës.
Nga sa u tha më lart, për rrjedhojë, është fare e natyrshme që kulti i Diellit të jetë ruajtur nga banorët që jetuan shekuj të tërë rrëzë këtyre majave, ashtu siç ndodhi edhe me ngulimin parahistorik të fshatit Vërmicë. Pra, kulti i Diellit si mbijetojë e besimeve pagane, apo si mbijetojë e kulteve të lashtësisë, jo rastësisht u ruajt në masë të konsiderueshme dhe në paraqitje artistike shumë interesante, përkatësisht, gjeti aplikim të gjerë në arkitekturën popullore të këtij fshati.
Ornamentika popullore nga kompleksi i hyjnive mbrojtëse të shtëpisë.
Ornamentika nga kompleksi i hyjnive mbrojtëse të shtëpisë, siç janë motivet nga kulti i Diellit, kulti ktonik i gjarprit, kulti i gjinjve të gruas dhe motive të tjera, si mbijetoja të besimeve pagane tek arkitektura e gurtë e fshatit Vërmicë, natyrisht se u aplikua ekskluzivisht në teknikë të relievit - skalitjes në gur.
Ornamentika popullore nga kulti i diellit
Paraqitja artistike e motiveve nga kulti i Diellit në shtëpitë e gurta të fshatit të Vërmicës shquhet për tiparet dalluese dhe karakteristike të teknikës së realizimit.
Elementet e ornamentikës nga kulti i Diellit, të skalitura në gurët këndorë të shtëpive, pastaj në elementet e portave të shtëpive apo në ballinat e oxhaqeve të vatrës familjare, u realizuan në formë të rozetës rrethore-spiraloide (fig.4., skalitur në anën e djathtë të gurit këndor), në teknikë të relievit të ulët – të cekët. Po ky motiv, u realizua edhe në teknikë të relievit të lartë, në formë të rozetës rroshe – spiraloide, të dalë nga sipërfaqja në formë plisi, gatise gjysmësferike (fig.3. shih dy motivet e poshtme).
Këtë formë të paraqitjes artistike në teknikë të relievit të lartë, apo këtë mystësi të theksuar të motivit diellor, gurëskalitësi popullor e ka realizuar me qëllim sugjerimi më të plotë të formës së trupit diellor, përkatësisht të paraqitjes sa më realiste të këtij ylli.
Vlera të një shkalle më të lartë të modelimit artistik mjeshtri popullor ka arritur tek dy motivet diellore në formë të rrathëve bashkëqendrorë, (shih motivin e sipërm në fig.3.), si dhe motivin tjetër, skalitur në anën e majtë të gurit këndor, (fig.4.). Tek ky lloj i ornamentit nga kulti i Diellit, kemi një strukturim më kompleks të modelimit hapësinor të rrathëve bashkëqendrorë. Me këtë, rrethi i jashtëm i këtij ornamenti është strukturuar si pjesë e gjysmësferës, e cila, përmes një lugu rrethor, shkrihet - ndërlidhet me elementin qendror të ornamentit në formë plisi, në sipërfaqen e të cilit është skalitur - gërryer spiralja. Kjo strukturë gjeometrike e spirales hapësinore paraqet Diellin në livizje rrethore.
Katër motivet e zëna ngoje më sipër, u skalitën mbi gurët këndorë, apo siç u thonë në popull, mbi qoshnikët e kullës së Sherif Kadriajt, ndërtuar në mëhallën e Kadriajve (shek.XIX - sot e braktisur).
Po këtu në Vërmicë, dhe po këtë ornament nga kulti i diellit në formë të rrathëve bashkëqendrorë e hasim edhe tek gjetjet arkeologjike, përkatësisht tek dy unazat e derdhura në bronzë të gjetura në varret 109 dhe 280 të shek. X dhe XIII, në hapësirën e bazilikës paleokristiane (shek.V-IV i e.s.).
Pjesa e zgjeruar e njërës unazë (gjetur në varrin nr. 280) është e zbukuruar me gjashtë motive diellore të incizuara në formë të rrathëve bashkëqendrorë. Dy rrathët e jashtme bashkëqendrore të këtyre ornamenteve, të kompozuara në dy radhë, janë incizuar në formë lineare, kurse rrethi qendror është thelluar në formë sferike. Nga më sipër, e mbështetur në provat materiale – gjetjet arkeologjike këtu e 600 deri në 1.000 vjetë më parë, kuptojmë se kulti i diellit edhe tek popullata arbërore në mesjetë zinte vend të rëndësishëm në besimet e tyre religjioze.
Për më tepër, të njëjtat ornamente zbukuruese nga kulti i diellit në formë rrathësh bashkëqendrorë, në vazhdimësinë e tyre diakronike, i hasim të incizuara edhe në enën tre vegjake të shek.IV., të gjetur në nekropolën antike të vendbanimit të Gllamnikut afër Podujevës.
Tiparet formësuese të këtyre ornamenteve dhe struktura kompozicionale e tyre në dy nivele, përkon tërësisht me ato të unazave arbërore mesjetare të zëna ngoje më sipër. Të këtilla motive dekoruese hasen edhe në gjetjet e tjera arkeologjike të periudhës antike ilire, si dhe të periudhave të tjera parahistorike në trevën e Kosovës dhe më gjerë.
E gjithë kjo provon katërcipërisht se në aspektin e shtrirjes së ornamentikës nga kulti i diellit në kohë dhe në hapësirë, trashëgimia e këtij sistemi dekorues, që nga ilirët në parahistori dhe në antikitet, pastaj në mesjetën e hershme tek arbërit dhe më vonë tek shqiptarët, është përcjellë brez pas brezi me një përpikëri të madhe në vijimësi të pakëputur.
Në vazhdim, siç shohim nga fig.2., në të dyja anët e gurëve të këndit të kësaj kulle, përballë hyrjes në oborr, janë skalitur gjithsej nëntë motive relievore. Prej tyre, pesë motive të skalitura në pjesën e poshtme të këndit i përkasin kultit të Diellit, ndërkaq, sipër tyre, nga njëra faqe e gurit këndor është skalitur një motiv nga kulti i gjinjve të gruas, realizuar në teknikë të relievit të lartë, por me përmasa paksa më të vogla se motivet e tjera në formë rroshe. Në faqen tjetër të të njëjtit gur këndor, është skalitur edhe një kompozim ornamental në formë trekëndëshi, në teknikë të relievit të cekët (bareliev). Ky motiv, skalitur në anën e djathtë të gurit këndor, siç shohim nga fig.5., në paraqitjen e tij relievore ngërthen dy trekëndësha. Brendapërbrenda trekëndëshit të madh, i dalë nga sipërfaqja e gurit, është thelluar – brendashkruar trekëndëshi i vogël, me pozitë të përmbysur. Trekëndëshin si ornament simbolik e hasim jashtëzakonisht shpesh të aplikuar në gjithë arkitekturën popullore të Kosovë. Ai ka karakter religjioz dhe në këto raste është përdorur në funksion magjik – mbrojtës prej së keqes.
Po kështu, që nga kohët parahistorike e deri në ditët tona, që nga Evropa e deri në Lindjen e Largët, trekëndëshi luajti rol të rëndësishëm në besimet magjike dhe në zakonet e njerëzve. Varëset në formë trekëndëshi, të cilat në shumë qytetërime të lashta shërbenin si amulete, sikundër edhe phallus-i kanë domethënie apotropeike.
Megjithëkëtë, jemi të bindur se në rastin konkret, trekëndëshi me këto tipare formësuese është paraqitur në funksion të simbolizimit të organit gjenital të femrës. Për më tepër, edhe tek ornamentika e kulteve ilire, kemi përfundime se trekëndëshi e simbolizon vulvën. Këto përfundime i bënë edhe më të qëndrueshme fakti se, në rastin e zënë ngoje, në dy faqet e të njëjtit gurë këndor janë aplikuar në reliev dy ornamente të besimit pagan nga i njëjti kult i gjinisë së amësisë, të cilat e simbolizojnë burimin e jetës, parkatësisht vazhdimin e gjeneratave njerëzore.
Së fundi, në tërësinë e këtij kompleksi motivesh, në pjesën më të lartë të këtij këndi të shtëpisë, na paraqiten edhe dy ornamente relievore. Njëra syresh ka karakter gjeometriko- kompozicional, dhe simbolikë të caktuar. Sipër këtij ornamenti, po ashtu në teknikë të relievit të lartë, është skalitur ornamenti i nëntë, me një formësin jo të rregullt elipsoidal të përzgjatur. Lidhur me këtë ornament nuk jemi në gjendje të themi se a i përket apo jo ndonjë mbijetoje të besimit kultik.
Ndërkaq, ornamenti tjetër gjeometrik, skalitur në teknikë të relivit të lartë, në paraqitjen e tij artistike të bukur, ngërthen një kompozim të dy katërkëndëshave. Katërkëndëshi i jashtëm, në formë drejkëndëshi është i dalë në mënyrë plastike nga sipërfaqja e gurit këndor. Brendapërbrenda këtij drejtkëndëshi e në lartësi të njëjtë me të, me thellim përkatës, është brendashkruar një romboid.
Siç mësojmë nga literatura, edhe ornamenti i rombit në paraqitjen e tij gjeometrike të stilizuar e simbolizon vulvën. Tek ilirët, veç tjerash, rombin e hasim të brendashkruar në drejtkëndsh. Po kështu, tek të njëjtit, rombi haset së bashku me trekëndëshin, i cili, siç thamë më sipër e simbolizon vulvën. Më tej, këtë ornament e hasim së bashku edhe me svastikën e cila e simbolizon Diellin, i cili në vete i ngërthen edhe elementet e simbolikës së plleshmërisë.
Për rrjedhojë, nga kundrimi analitik i këtyre dy ornamenteve të cilat në strukturën e tyre kompozicionale dhe simbolike e ngërthejnë trekëndëshin dhe rombin, kuptojmë se i përkasin sistemit simbolik të së njëjtës natyrë e cila ka të bëjë me burimin e jetës dhe vazhdimësinë e saj.
Përveç ornamenteve të zëna ngoje më sipër, tek shtëpitë e bukura të Vërmicës, ndërtuar në tërësi prej gurit, hasëm edhe një sërë ornamentesh të tjera nga i njëjti kult i Diellit, si dhe nga kultet e tjera.
Para se të bëjmë fjalë për ornamentet e tjera nga kulti i diellit të skalituara në gurët e shtëpive të këtij fshati, duhet theksuar se, përveç shtëpisë së Sherif Kadriajt, sot e braktisur, pastaj shtëpive të Xheladin Imerit dhe Halil Pulajt (mëhalla e Pulajve), që të gjitha shtëpitë e tjera u dogjën dhe u shkatërruan nga forcat ushtarake serbe gjatë luftës së vitit 1999. Okupatori serb, duke qenë i vetëdijshëm për vlerat e mëdha të këtyre shtëpive, pastaj për rëndësinë e tyre historike e arkeologjike, i shkatërroi ato pamëshirshëm, duke e lënë një fshat të tërë në rrënoja (shih fig.1.).
Shtëpitë e gurta të fshatit Vërmicë shquhen për portale të bukura, me formësime elegante e harmonike. Po këto tipare i ngërthejnë edhe oxhaqet e vatrave familjare. Veçmas spikatin gjashtë oxhaqet e vatrave të shtëpisë së Myrtez Fanës, ngulitur në mëhallën e Fanajve. Oxhaqet e vatrës së kësaj shtëpie, si dhe oxhaqet e çatisë, shquhen për tipare karakteristike, me formësim elegant dhe të harmonishëm. Oxhaqet e vatrave me tipare të këtilla u ndërtuan gjithandej nëpër shtëpitë e këtij fshati.
Për shkak të vlerave arkitektonike të këtyre shtëpive dhe rëndësisë së tyre, duhet të restaurohen doemos tri shtëpitë e ruajtura, ndërkaq, të gjitha shtëpitë e tjera në rrënoja, të konservohen dhe të ruhen si të tilla.
Në gurin ballor të njërit prej oxhaqeve karakteristike të shtëpisë së Fanajve është aplikuar një motiv, nga kulti i Diellit, në formë ylli – rozete gjashtërrembëshe, brendashkruar në rreth, realizuar në teknikë relievi të cekët.
Në mëhallën tjetër, të Pulajve, siç shohim nga fig.6., në elementin vertikal të kornizës së portës harkore të kësaj shtëpie të shkatërruar, në teknikë relievi të lartë, me përmasa mjaft të mëdha, është skalitur edhe një ornament nga kulti i Diellit në formë plisi. Mbi sipërfaqen pothuaj gjysmësferike të këtij motivi është gërryer-skalitur spiralja hapësinore. Nga elementet e tjera harkore të kësaj porte, të shtrira përtokë në afërsi të saj, kuptojmë së kjo portë kishte një formësim të bukur dhe tipik për shtëpitë e këtij fshati, sikundër edhe oxhaqet e vatrës së kësaj shtëpie, shquhen për formësim tipik.
Më poshtë shtëpisë së zënë ngoje më sipër, është ngulitur edhe një shtëpi. Në pjesën këndore të kësaj shtëpie-rrënojë janë skalitur në reliev edhe katër ornamente të tjera.
Njëri syresh, është skalitur në pjesën e poshtme të murit në teknikë relievi të ulët-të cekët, dhe i përket kultit të Diellit. Ndërkaq ornamenti tjetër, skalitur në pjesën e sipërme të së njejtës faqe të murit, i përket kultit ktonik, përkatësisht kultit të gjarprit, dhe po ashtu është skalitur në teknikë relievi të cekët. Në faqen tjetër të kësaj pjese këndore të shtëpisë, është skalitur ornamenti i kultit të gjinjve të gruas, dhe sipër tij ornamenti nga kulti i Diellit, në teknikë gërryerjeje të cekët lineare, në formë të drejtkëndëshit me dy diagonale. Ornamentet e kultit të gjinjve të nënës të skalitura në teknikë relievi të lartë, hasëm edhe në disa shtëpi të tjera të fshatit Vërmicë. Etnologët, skalitjet e këtilla ornamentale i konsiderojnë si mbeturina të kultit të gjinisë së amësisë, përkatësisht si mbeturina të ngurtësuara e të ndryshuara në brendi të kultit të gjinjve të së parës së gjinisë, ushqyeses së parë të pasardhësve. Pra, këtë kult e marrin si simbolizues të burimit të jetës dhe vazhdimit të gjeneratave njerëzore.
Kulti ktonik i gjarprit
Nga fotoja nr.7., shohim se paraqitja figurale e gjarprit, nga kulti ktonik, si dhe paraqitja relievore e ornamentit me rrathë bashkëqendrorë, nga kulti i Diellit, janë paraqitur afër - njëra tjetrës. Këtë mënyrë të paraqitjes së ornamenteve të këtyre dy kulteve së bashku, e kemi hasur dendur në zbukurimoren e arkitekturës popullore në Kosovë. Kjo dukuri e bashkimit të këtyre dy kulteve, tek ilirët, zë rrënjë që nga shekujt e fundit p.e.r. dhe në fillim të epokës sonë. Para kësaj, në një thellësi edhe më të lashtë kohore, përkatësisht në epokën e gurit, byzylykët prej argjendi, në mbarimet e tyre kishin formën e kokave të gjarprit. Kjo dukuri ishte shprehje e futjes së paraqitjes figurale në artin ilir. Paraqitja e motivit të gjarprit i kishte rrënjët e tij të thella në religjionin ilir. Gjarpri ishte një simbol i fuqishëm i ilirëve të lashtë, dhe asnjë shtazë tjetër në simbolikën religjioze nuk kishte rol më të rëndësishëm se ai. Gjarprin në mitologjinë popullore shqiptare, në veçanti në Kosovë, e ndeshim me emrin: “gjarpni i shpisë” ose “bolla e shpisë”.
Gjarpri si mbijetojë e besimeve pagane, i përket kultit ktonik, përkatësisht kultit tokësor, ai konsiderohej si rojë e shtëpisë dhe e anëtarëve të familjes. Atë e ndeshim edhe si hyjni mbrojtëse të jetës, të mirëqenies e mbarësisë në familje.
Në përmbyllje të këtij studimi analitik, të themi se, nga aspekti i shtrirjes së ornamentikës simbolike në kohë e në hapësirë, trashëgimia e sistemit dekorues, që nga ilirët në parahistori dhe në antikitet, pastaj në mesjetën e hershme tek arbrit dhe më vonë tek shqiptarët, është përcjellë brez pas brezi, në vijimësi të pakëputur, me një përpikëri të madhe. E gjithë kjo, përveçse provon trashëgiminë kulturore nga ilirët tek shqiptarët, njëherësh provon vazhdimësinë etnike iliro-shqiptare, rrjedhimisht provon edhe përkatësinë shqiptare të mjeshtërve si ndërtues të arkitekturës tradicionale popullore në Kosovë.

Marre nga revista ARKLINE, Nr.5 Mars 2006, Prishtine

No comments:

Post a Comment