11/15/12

Një këndvështrim ndryshe për ndërtimin



Nga Maksim Muçi

Ekonomia dhe modelet e zhvillimit të saj nuk kanë kuptim pa ndërtimorin.
Por çfarë do thoshim për ndërtimet?
Kanë kaluar 20 vjet tranzicion. Në qoftë se do kthenim vështrimin mbrapa, do shikonim:
Një bum të madh ndërtimesh. Shumë ndërtime të bukura që tregojnë forcën e zhvillimit të demokracisë, por, nga ana tjetër, shumë e shumë ndërtime dhe nga ato të bukurat të ndërtuara pa një specialist përgjegjës ligjërisht, ose në mes të parcelave bujqësore dhe pa infrastrukturë, në zona që përmbyten, në zona me probleme stabiliteti (sizmike ose rrëshqitje), ose duke shpërdoruar në rërë buzë detit, ose duke prerë pemët, ose pa respektuar distancat midis godinave dhe nuk mund të bëhet mbrojtja nga zjarri, ose me materiale të pakontrolluara. Këtu me dhimbje duhet të shtojmë dhe ndërtime “të paligjshme” me soleta e ballkone të varura e të thyera nga policitë ndërtimore.
Pse kjo gjendje?
Sepse janë bërë shumë ndërtime pa leje. Është abuzuar me dhënien e lejes (çdo kryetar komune mund të japë leje pa kufizim në çdo cep të komunës së tij). Janë shkelur kushtet e lejes nga ndërtuesit. Është ndërtuar në shumë raste dhe pa projekt dhe pa kontroll e përgjegjësi teknike. E vetmja gjë pozitive është ajo që shikon se kanë shpërthyer energjitë e njerëzve dhe të gjithë janë përpjekur për të rregulluar kushtet e jetës së tyre.
Por e gjithë kjo energji e madhe pasqyron edhe një mund të shpërdoruar, një harxhim ekonomik kolosal herë të goditur dhe shumë herë të pagoditur.
Kush janë përgjegjësit?
Emra, persona mund të ketë shumë, por përgjegjësi i vetëm, i vërtetë, është shteti. Urbanistika është atribut vetëm i shtetit dhe jo i privatit. Me anë të urbanistikës bëhen studime. Studimet na përcaktojnë se ku ndërtohet e ku jo, ku dhe për çfarë do zhvillohet një zonë, e për çfarë një tjetër, na tregojnë zhvillimin e ardhshëm, idenë e qartë të asaj që do jetë mbas disa vitesh. Mbi këto studime shteti planifikon investimet për urbanizim, ndërsa privati investimet e tij në interes të vetes dhe ekonomisë. Çdo ndërtim, qoftë publik ose privat dhe kudo që bëhet, është mund dhe pasuri e shqiptarëve.
Për çfarë ka nevojë ndërtimi?
Ndërtimi ka nevojë për rregull dhe planifikim. Këto arrihen nëpërmjet studimeve urbanistike, planeve rregulluese, ndërtimit sipas kushteve teknike dhe kontrollit të gjithë këtyre. Të gjitha këto rregullohen me ligj dhe ligje kemi pasur, por praktika na ka treguar se ato jo vetëm që nuk mjaftojnë e s’janë të thjeshta e efikase, por mbi të gjitha nuk zbatohen si duhet. Ligji i mëparshëm i jepte të drejtë edhe çdo komune të jepte leje dhe KRRT-të me shumicë votash vendosnin dhe pa respektuar ligjin e pa mbajtur përgjegjësi. Ligji i ri i miratuar prillin e kaluar në Parlament dhe që hyn totalisht në fuqi në shtator 2010, nuk ka gjasa që të jetë efektiv, pasi është voluminoz (trefishi i të parit), kërkon ndryshim strukturash dhe ndryshon terminologjinë. Në kushtet e nevojës urgjente për rregull mendoj se do jetë pak efektiv. E fundit, por jo më pak efektivja, është kontrolli i cili bazohet në përgjegjësinë e zbatimit të kushteve teknike (të mos zgjatemi për nevojën e implementimit të eurokodeve), përgjegjësinë ligjore të një specialisti dhe në kontrollin e inspektoratit të ndërtimit. Këtij të fundit, megjithëse i është ndërruar emri, përsëri ngelet në atributet e një policie ndërtimi. Kontrolli i ndërtimeve nuk bëhet dot vetëm me prishje. Kontrolli duhet t’i bëhet aktivitetit të ndërtimit. Gjithë sa përmendëm më sipër janë e drejtë dhe atribut i shtetit, por është i domosdoshëm bashkëpunimi me grupet e interesit dhe qytetarët, bashkëpunim që shumë herë ka munguar ose është bërë formalisht.
Folëm për ndërtesat. Po me ndërtimet e tjera?
Shikoni se çfarë po ndodh me rrjetin rrugor, “autostradat”, që nuk kanë për të qenë kurrë të tilla po vazhduam si deri më sot. Fenomeni i parë që vërejmë sa fillon ndërtimi i tyre është sklerotizimi i tyre. Sa shteti fillon të ndërtojë një rrugë që lidh dy qytete, privati (shumicën me lejen e shtetit) vete i ngjit ndërtimin. Nuk është e largët dita që për Tiranë-Durrës do udhëtojmë në mes të dy rreshtave me ndërtime. Kjo po realizohet shumë shpejt e çdo ditë. Kryetarët e komunave kanë të drejtë të japin LEJE për ndërtime. U njihet me ligj. Nga njëri ndërtim në tjetrin do lëvizin njerëz, do duhet të kalojnë nga njëra anë në tjetrën të “autostradës”, do jenë rrugë pune e shëtitore e një dite ato makina që do kalojnë me 90km/orë do bëhen të padurueshme! Me të drejtë, vetëm se për çfarë u nisëm e çfarë bëmë. Atëherë zgjidhja do jetë që të bëjmë një “autostradë” të re në krah të së parës.
Privati “fitoi” se ndërtoi pranë infrastrukturës, nëpunësi që duhej të bënte studime fitoi se mori rrogën pa bërë punë, vendori që dha LEJEN po dihet se fiton. Atëherë kush humbi? Të gjithë kemi humbur, ekonomia jonë dhe mbi të gjitha e ardhmja dhe brezat që vijnë.
Çfarë mund të themi për turizmin?
Kaos. Janë bërë në këto njëzet vjet shtatë studime për turizmin dhe me specialistë të huaj dhe me fonde, me kredi, dhe nuk po shohim të jetë një në fuqi. Edhe në këtë fushë fuqinë e kanë komunat. Ato kanë të drejtën e tyre deri në një farë mase, por teknologjinë e turizmit dhe përgjegjësinë e zhvillimit duhet ta ketë ajo që quhet Ministri e Turizmit.
Çfarë mund të themi për ndërtimet hidroteknike që janë të lidhura me ujin, një nga pasuritë më të rëndësishme kombëtare që na ka dhënë natyra?
Uji është një pasuri me vlerë vazhdimisht në rritje për të ardhmen. Mos të harrojmë se jemi të privilegjuar në këtë pasuri, mbasi kemi një pellg ujëmbledhës gati sa 1.5 herë të sipërfaqes së territorit tonë. Por e gjithë kjo nuk do të thotë që ne mund të jemi të pakujdesshëm. Me ujin lidhen shumë vepra ndërtimi. Aktiviteti i ndërtimit nuk janë vetëm banesat e rrugët, por dhe ato hidroteknike (diga, ujësjellësa, kanalizime, argjinatura, mbrojtje nga uji, hidrocentrale, vepra ujitëse etj.), të gjitha këto lloj veprash lidhen me ujin si për përdorimin, shfrytëzimin, por edhe mbrojtjen prej tij. Vlera e tyre në ekonomi është e madhe, si për përfitim, ashtu dhe për rrezikun nga dëmtimi i tyre. Si në çdo vepër, e para është dimensionimi i tyre, i cili veç faktorëve të tjerë, mbi të gjitha bazohet në sasitë e ujit, që mund të jenë dhe variabile në kohë. Dimensioni i tyre është investim, ekonomi, fisibilitet etj. Po si mund ne të bëjmë dimensionin e tyre kur kemi 20 vjet që nuk bëjnë matje të shiut, burimeve e lumenjve tanë? Matjet pluriometrike dhe hidrometrike kanë qenë bërë nga vitet ‘30 e deri në vitin 1990.
Që mbas këtij viti, ato nuk bëhen dhe nuk disponohen më. Këto matje janë një shërbim dhe këtë e bënte Instituti Hidrometeorologjik, i cili te ne nuk ekziston më dhe nuk kryhet ky shërbim. Sot çdo investim që mund të kryhet për furnizimin me ujë, hidrocentral, argjinaturë etj., ka një pasaktësi të madhe. Këtu po të shtojmë dhe mungesën e kontrollit të projekteve, atëherë rezulton se jemi në zonën e hamendjes.
Nënkuptohet që nuk mund të vazhdohet më kështu. Ka ardhur koha që jo vetëm për projektimin e veprave të reja, por dhe për mirëmbajtjen e ekzistueseve duhet të ndryshojnë sa më parë qëndrim.
Ndodhitë e janarit të këtij viti duhet të na detyrojnë që të marrim masa për të ardhmen. E këtu prapë del parësor roli i shtetit dhe administratës publike, në radhë të parë asaj qendrore e pastaj dhe asaj lokale. Deri më sot kemi bërë investime të vogla, aq sa mund të bëjë një individ, po në të ardhmen që mendojmë të zhvillohemi, dhe vlera e investimeve do të jetë e madhe, gjithmonë do të kemi probleme që një ndërtim (investim serioz në ekonomi), ku do ta vendosim dhe ç’masa të marrim për ta mbrojtur nga uji, ose sa duhet dimensionuar për të shfrytëzuar ujin.
Kontradiktë e pakuptimtë dhe për të ardhur keq është se ne kemi pasuri, kemi traditë, kemi ende njerëz me eksperiencë të cilët kanë bërë studimet, projektet dhe ndërtimin e veprave tona hidroteknike, janë të gatshëm të japin akoma kontributin e tyre dhe ne kemi luksin të mos i angazhojmë. Nuk jemi kundër eksperiencës së të huajve, këtë e kemi dashur gjithmonë dhe e kemi marrë në të gjitha veprat që kemi ndërtuar më përpara, por jemi fare të sigurt se edhe të huajt kanë shumë nevojë për eksperiencën tonë në ndërtimin e këtyre veprave në Shqipëri. Kemi ndërtuar vepra të cilat janë të niveleve të larta botërore, kemi një inventar prej rreth 800 digash e dhjetëra kilometra argjinaturash që janë një pasuri me vlerë e që duhen mirëmbajtur jo vetëm për të na shërbyer, por edhe që të mos na rrezikojnë, prandaj duhet hartimi i një strategjie të tërë jo vetëm për zhvillimet e mundshme në hidroteknikë, por edhe për mirëmbajtjen e veprave të ndërtuara. Siguria e tyre kërkon fonde. E këto fonde duan studime. E këto studime, më mirë se kushdo tjetër mund t’i bëjnë ata që i kanë realizuar.
Këto që përmendim nuk janë teori, kjo është ekonomi. Ose do ecim me studime dhe parashikime e planifikim, ose do ngelemi në shtet emergjencash, siç kemi ngelur në këto vitet e fundit. Sa më shumë kalon koha, aq më shumë do jemi në gjendje emergjence në qoftë se nuk marrim masa. Prandaj themi se kjo është ekonomi. Specialistët përkatës që mbas 1998-s i janë drejtuar vazhdimisht çdo qeverie për këto probleme dhe me propozime konkrete se ç’duhet bërë dhe nuk është bërë asgjë, prandaj themi se është përgjegjësi e politikës dhe duhet medoemos një mendim ndryshe.
Gjithë sa thamë më sipër, janë shumë pak që mund të thuhet për një këndvështrim ndryshe në aktivitetin e ndërtimit. Numri i madh i specialistëve me eksperiencë dhe organizimi i tyre për të zgjidhur problemet do që një çlirim i madh dhe fitim në ekonomi punësim.
Është një nismë shumë e mirë për sensibilizim kjo e Universitetit Mesdhetar Shqiptar dhe gazetës “Shqip”, prandaj e përshëndes, që të paktën këto probleme të jenë prezente për publikun dhe mbi të gjitha për ata që do drejtojnë në të ardhmen.
Autori: Drejtor Ekzekutiv. Shoqata e Ndërtuesve

No comments:

Post a Comment