11/15/12

Turbinë ere për energji në një shtëpi private në Florida




Në kushtet e krizës ekonomike, në Shtetet e Bashkuara po rritet kërkesa për përdorimin e turbinave të vogla me erë në shtëpitë e njerëzve. Shoqata Amerikane e Energjisë së Erës thotë se shitja e turbinave të tilla u rrit 15 për qind në vitin 2009. Do t’ju njohim tani me një banor të Floridës, i cili prodhon energji për shtëpinë e tij.
Kjo turbinë me erë ndodhet në majën e një kodre të vogël dhe gjeneron energji për këtë shtëpi pranë. Jim Dotson thotë se ia instaluan turbinën vitin e kaluar dhe tani ajo po i kursen para familjes së tij.
“Mendonim se mund ta përgjysmonim faturën e energjisë elektrike dhe pikërisht kjo ka ndodhur vazhdimisht”.
Dotson përdor kompjuterin e tij për të matur sasinë e elektricitetit që gjeneron turbina e tij. Ai thotë se nganjëherë turbine prodhon më tepër energji nga sa ai ka nevojë. Ai pastaj ja shet energjinë e tepërt një kompanie lokale të energjisë.
“Sidomos në gjendjen ekonomike që ndodhemi tani, të sigurosh vetë energjinë është diçka e mire”.
Por Jim Dotson jeton në Florida, një shtet me shumë pak turbina me erë, karahasuar me pjesë të tjera të vendit. Frank Leslie është professor dhe anëtar i Departamentit të Sistemeve të Mjedisit të Marinës, në Institutin e Teknologjisë të Floridës. Ai thotë se shkencëtarët shpesh e shohin Floridën si një vend pa shumë erë, për të patur turbina me erë.
“Niveli i erërave është shumë i ulët. Pjesa juglindore e vendit nuk ka fatin të ketë erëra të forta, prej nga mund të nxirret energjia”.
… Dhe kostoja për instalimin e një turbine të vogël është e lartë, deri në 22 mijë dollarë.
“Ndërsa era është pa para, konvertimi i fuqisë së saj në energji elektrike kushton”.
Leslie thotë se Florida ka disa brigje ku fryn era, por shumë pjesë të saj janë zakonisht të qeta. Kalifornia, Texasi dhe Iowa kanë kapacitetin më të madh të gjenerimit të fuqisë së erës në SHBA. Kjo fermë me mullinj ere pranë San Franciscos është një nga më të mëdhatë në botë. Ajo ka 4 mijë turbina.
Qeveria amerikane thotë se era plotëson vetëm 2 për qind të kërkesës së Amerikës për energji elektrike, krahasuar me 25 për qind që është kjo shifër në Danimarkë dhe 8 për qind në Gjermani dhe Spanjë.
Megjithatë, Jim Dotson thotë se ka besim se mund të vazhdojë të përdorë energji elektrike për shtëpinë e tij duke shfrytëzuar erën. Ai thotë se po mbledh para për të paguar edhe për një turbinë tjetër me erë, për të siguruar energjinë për një shkollë në shtetin e Burkina Fasos, në Afrikën Perëndimore.

No comments:

Post a Comment