Zyra Ovale e Shtëpisë së Bardhë është ndoshta
një nga zyrat më të famshme në botë dhe megjithëse ajo nuk ka ndryshuar shumë
në vite, secili nga Presidentët amerikanë i ka dhënë asaj ngjyrime personale,
përmes detajeve. Presidenti Obama i ka bërë vetëm disa ndryshime të vogla
Zyrës, me sa duket me mendimin se ndryshimet e mëdha do të linin një përshtypje
të keqe në periudhën e krizës ekonomike. Megjithatë, vitin e tij të parë në
Shtëpinë e Bardhë, edhe Zyra Ovale ka reflektuar shijet e Presidentit. Edhe
ndryshimet më të vogla, si psh, mbajtësja e stilolapsit, shihet me kujdes për
simbolikën e saj. Presidenti Obama i ka shtuar Zyrës Ovale disa punime poçarie
të amerikanëve indigjenë, si dhe modele të zbulimeve më të rëndësishme
amerikane, si telegrafi. Po ashtu atje është ekspozuar një program origjinal
për udhëheqësin e të drejtave civile, Martin Luter King, me fjalimin e tij të
famshëm “Unë kam një ëndërr”, si dhe fotografi të familjes Obama. Presidenti
mban gjithmonë një tas me mollë mbi tavolinë, me të cilat shpesh i qeras
vizitorët. Presidenti Obama, po ashtu, ka vendosur një ton më pak formal në
Zyrën Ovale, që nga dita e tij e parë si President, kur në fotografinë e tij të
parë e publikuar, ai ishte me këmishë. Nga ana e tij, Presidenti Bush, hynte në
zyrë vetëm me kostum dhe kollare.
Presidenti Obama vazhdon të përdorë tavolinën
e punës që i dhuroi Mbretëresha Viktoria ish-Presidentit Rutherford Hayes. Ai
po ashtu ka në zyrë të njëjtin qilim me stampën e vulës presidenciale të
vendosur në zyrë nga Presidenti Bush. “Zyra Ovale të kujton vazhdimisht për
misionin e Shtëpisë së Bardhë, ç’vend zenë atje shpresat dhe ëndërrat, më
konkretisht, çfarë ndodh në Shtëpinë e Bardhë”, tha Presidenti Obama në një
intervistë dhënë kohët e fundit, lidhur me domethënien e Zyrës Ovale për një
President Amerikan.
No comments:
Post a Comment